Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 586 viktima të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve nga ky virus në vend ka shkuar në 21.678, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e përditshme për media, sekretari britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, njoftoi se qeveria është në rrugën e duhur që deri në fund të muajit të përmbush objektivin e saj për kryerjen e 100 mijë testeve në ditë, pavarësisht asaj se në 24 orët e fundit kreu vetëm 43.453 teste.
Hancock gjithashtu paralajmëroi se nesër qeveria britanike do të publikojë të dhënat e përgjithshme të vdekjeve brenda ditës, duke përfshirë edhe rastet e vdekjeve nëpër shtëpitë e pleqve, krahas vdekjeve në spitale.
Burgjet dhe shtëpitë e kujdesit
Ministria e Drejtësisë publikoi analiza nga "Public Health England" që tregojnë se numri i rasteve të dyshuara të koronavirusit në burgje është mbi pesëfishi i numrit të konfirmuar.
Të dhënat zbuluan se ka 324 raste të konfirmuara dhe 1.783 raste të dyshuara të këtij virusi.
Shifrat nga Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS), organi zyrtar i statistikave në Mbretërinë e Bashkuar, treguan se ndërmjet 10-24 prilli ka pasur 4.343 vdekje nga koronavirusi në shtëpitë e kujdesit.
Kjo është një rritje e ndjeshme nga numri i të vdekurve deri më 10 prill, i cili ishte vetëm 1.043.
Gjysma e vdekjeve midis 10-24 prillit ndodhi në pesë ditët e fundit, që tregon se tendenca e viktimave po përshpejtohet.
ONS po ashtu tha se shifrat mund të jenë të nënvlerësuara për shkak të vonesave në raportim, ndërsa operatorët e shtëpive të kujdesit thanë se ata ende nuk kanë arritur kulmin.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 3 milionë, me mbi 212 mijë të vrarë dhe rreth 906 mijë të shëruar.