Agim Sulaj
02 Shtator 2021•Përditësim: 03 Shtator 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit 32 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.557, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 1.612 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 148.492.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 13.953 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.008.846 teste.
Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 2.460 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 119.471 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 26.524.
Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 20.618 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 862.224 doza të vaksinës. Deri më sot 291.645 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.