Sibel Vezaj
25 Shkurt 2017•Përditësim: 26 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Sibel Vezaj
Instituti "Yunus Emre" në Prishtinë po zhvillon aktivitete të shumta kulturo-artistike për qytetarët e Kosovës, ku njerëzit nga komunitete dhe grupmoshave të ndryshme mund të njihen me kulturat e njëri-tjetrit.
Ky institut së fundmi, nëpërmjet muzikës dhe instrumenteve muzikore në një ambient të ngrohtë dhe në mënyra argëtuese po formon ura lidhëse në mes kulturave dhe komuniteteve shqiptar dhe turk.
Të mësosh t’i biesh instrumentit çiftelia, i cili është një instrument tipik shqiptar, tani është e mundshme në Instutin "Yunus Emre". Po ashtu këtu vijojnë kurset edhe ata që janë të interesuar ta mësojnë instrumentin “Bakllama” dhe “Ud” të cilat i takojnë kulturës së Lindjes dhe zënë një vend të veçantë në muzikën turke.

Udhëheqësi i kursit të instrumentit çiftelia, Fatmir Makolli në një bisedë për Anadolu Agency (AA) tha se çiftelia është instrumenti kryesor dhe më i popullarizuar i shqiptarëve, e cila ka një prejardhje të lashtë dhe me të cilën përcillen zakonisht këngët e dasmave dhe të odave shqiptare.
Makolli informoi se sot është ora e tretë e këtij kursi dhe tha se deri më tani gjithçka ka shkuar shumë bukur, duke vlerësuar këtu vullnetin dhe talentin e nxënësve të këtij kursi, si dhe kushtet e ofruara nga Instituti "Yunus Emre". Ai bëri të ditur se që nga momenti i shpalljes së kursit më se njëqind qytetarë nga mbarë Kosova kanë shprehur interesim për ta vijuar këtë kurs, por që janë përzgjedhur tetë prej tyre.
Duke theksuar se ky kurs është një shembull i bashkëpunimit mes kulturave dhe popujve që jetojnë në Kosovë, Makolli tha se duke i mësuar instrumentet e njëri tjetrit, qytetarët i shkrijnë dhe i bashkojnë këto kultura. “Çdo instrument dhe çdo njeri që i bie instrumentit si të kombit të vet ashtu edhe të një kombi tjetër është urë lidhëse në mes të popujve, kombeve dhe të kulturave të ndryshme, për shkak se aty të gërshetohen kulturat”, tha Makolli.
Gent Jetullahu nga komuna e Podujevës, i cili ka ndjekur rreth 3 vite kursin e gjuhës turke në Institutin "Yunus Emre", tani ka filluar edhe në kursin e çiftelisë. Ai tha se çiftelia është një instrument që e ka dashur shumë dhe shtoi se është një ndjenjë shumë e mirë që sot në një institut turk po mësohet ky instrument i rëndësishëm i popullit shqiptar. “Kjo është një mundësi shumë e mirë. Kursi i çiftelisë është diçka që tregon që kultura turke edhe shqiptare mund të ndërlidhen në mes vetes”, tha Jetullahu.
Nga ana tjetër, Ilir Bërveniku, udhëheqësi i kurseve të Bakllamas dhe Udit për AA tha se këto dy instrumente zënë një vend të rëndishëm në folklorin turk.
Ai tha se interesi për këto instrumente është mjaft i mirë dhe falënderoi Institutin "Yunus Emre" për organizimin e kurseve të tilla falas për Prishtinasit. Sipas tij, me kurset e organizuara nga Instituti "Yunus Emre" po mundësohet njohja dhe përhapja e kulturave si të asaj turke ashtu edhe të asaj shqiptare.
“Nxënësit shqiptarë të këtij kursi po mësojnë shumë shpejtë, me siguri që shumica e tyre e duan shumë muzikën turke. Mund të them se ata po mësojnë edhe më shpejtë se nxënësit turq”, tha Bërveniku.
Sipas Bledon Kamerit nga Mitrovica, vijues i të dy kurseve, edhe të bakllamas edhe të udit, muzika është promovues dhe bashkues i mirë në mes të kulturave. “Është mundësi shumë e mirë për t’i njohur instrumentet turke, më pëlqen si zhanër i muzikës si dhe instrumentet më pëlqejnë shumë”, tha Kameri.
Kurse Mukadder Arıöz, nga Stambolli e cila që 5 vite në Prishtinë tha se kurset e tilla janë përvoja shumë të mira, si për t’u takuar me miqtë kosovarë ashtu edhe për t’i mësuar instrumentet. “Ky aktivitet është shumë i rëndësishëm për të rinjtë, femrat dhe meshkujt të cilët jetojnë në Kosovë. Ata i shfrytëzojnë kohët e tyre të lira dhe bëjnë këmbime në mes të kulturave”, tha Arıöz.
Së fundmi, udhëheqësit dhe nxënësit e tre kurseve shprehën mirënjohjen për një mundësi të tillë si dhe njoftuan që së shpejti do të kenë edhe punime të përbashkëta.