Kulturë

Tiranë, aktivitet për "çështjen e detit"

Diplomatë, historianë, ekspertë të jurisprudencës kanë folur rreth marrëveshjes Shqipëri-Greqi që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese dhe pritshmëritë për negociatat për një marrëveshje të re

Fatjon Cuka  | 27.03.2018 - Përdıtësım : 27.03.2018
Tiranë, aktivitet për "çështjen e detit" Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Aktiviteti i promovimit të librit “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, ka mbledhur së bashku në Tiranë diplomatë, historianë, ekspertë të jurisprudencës të cilët kanë folur rreth marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 2009, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, pritshmëritë për negociatat për një marrëveshje të re dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë aktivitetit organizuar nga Fondacioni ALSAR, historiani Prof.Dr Pëllumb Xhufi, tha se politika shqiptare për disa dekada e ka fshehur axhendën e marrëdhënieve me Greqinë.

"Përgëzoj Fondacionin ALSAR që ka realizuar në elementë të paneglizhueshëm një libër të shkëlqyer të pajisur me përkthim në anglisht. Në këto 30 vite politika shqiptare ka punuar për ta heshtur apo fshehur axhendën shqiptare në marrëdhëniet me shtetin grek dhe ka promovuar dhe zbatuar axhendën e shtetit grek. Ky duket një paradoks, por ky është një konkluzion që unë e nxjerr nga paraqitja e gjithë informacionit të hetuar, të gjetur dhe të përpunuar nga mendja e Shaban Muratit në arkivat tona. Është heshtur për ligjin e luftës. U fshehën probleme të tjera, si problemi i kufirit, çështja e kufirit tokësor në radhë të parë, çështja çame, një çështje madhore e axhendës shqiptaro-greko", theksoi Xhufi.

Ndërsa kryetari i Shkollës së Magjistraturës në Shqipëri dhe ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në vitin 2010, Prof.Asoc.Dr Sokol Sadushi, duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi marrëveshjen e vitit 2009 tha se aktet ndërkombëtare kanë qenë një mundësi e mirë për këtë vendim.

Sadushi tha se "Gjykata Kushtetuese është mbështetur në standardet ndërkombëtare. Marrëveshja ashtu siç ishte lidhur meritonte shfuqizimin. Argumentet për shfuqizimin e kësaj marrëveshjeje janë të shumta. Besoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të vlejë për vijimësinë e negocimit dhe nënshkrimit të gjithë marrëveshjeve që Shqipëria nënshkruan në emër të saj dhe ky vendim meriton vlerësim".

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, theksoi se çështja e marrëveshjes për detin midis Shqipërisë dhe Greqisë ka qenë objekt i një debati të nxehtë dhe i një interesimi të gjallë të opinionit publik shqiptar që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje më 27.04.2009.

"Më vonë kjo marrëveshje u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila e konsideroi atë në kundërshtim me Kushtetutën dhe e shpalli të pavlefshme juridikisht. Çështja e detit është vënë përsëri në qendër të vëmendjes të opinionit publik dhe politik shqiptar dhe atij grek sepse është nisur procesi i negocimit të çështjes nga të dy palët", tha Gurra.

Libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, me autor diplomatin Shaban Murati është botuar me mbështetjen e Fondacionit Arsimor Kulturor Alternativa e së Ardhmes (ALSAR).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın