Bekir Aydoğan,Ali Makram Ghareeb
04 maj 2025•Përditësim: 09 maj 2025
KIRKUK/ERBIL (AA) - Turkmenët që jetojnë në Irak njihen me ruajtjen kostumeve të tyre kombëtare për breza ndërsa thuhet se ka pasur kërkesë në rritje për këto rroba vitet e fundit, veçanërisht në mesin e të rinjve.
Turkmenët irakianë preferojnë të veshin rrobat e tyre vendase në festat kombëtare dhe fetare si dhe në raste të veçanta, siç janë dasmat.
Qyteti i Kirkukut në Irak njihet për qepjen e veshjeve turkmene. Rrobaqepësit këtu marrin porosi nga shumë qytete ku jetojnë numër i madh i turkmenëve.
Thuhet se vitet e fundit ka pasur kërkesë të madhe për veshje kombëtare mes turkmenëve dhe interes në rritje, veçanërisht te të rinjtë.
"Vitet e fundit ka pasur kërkesë të lartë për veshje vendase turkmene"
Duke folur për Anadolu, rrobaqepësi 65-vjeçar Mutasam Kasap, i cili qep kostume kombëtare turkmene në Kirkuk, thotë se e ushtron këtë profesion për afro 55 vjet.
Kasap tha se e filloi profesionin e tij si praktikant në moshën dhjetëvjeçare dhe më vonë u bë punëtor i kualifikuar. Ai thotë se hapi punishten dhe pikën e tij të shitjes menjëherë pasi u bë mjeshtër i këtij profesioni.
Ai thekson se veshjet kombëtare tukrmene preferohen në jetën e përditshme si dhe në dasma dhe festa. Kasap tregon se veshjet kombëtare vishen veçanërisht gjatë Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit.
Rrobaqepësi Kasap thekson se emigrantët turkmenë që vizitojnë atdheun e tyre gjatë pushimeve dhe festave verore janë të interesuar për kostumet kombëtare. "Ne marrim shumë porosi nga qytetet ku jetojnë turkmenë në numër të madh", tha ai.
Veshjet turkmene ruhen brez pas brezi
Kryetari i Unionit të Studentëve dhe të Rinjve Turkmenë të Provincës Erbil, Muhammet Mehdi Erbilli, tha se turkmenët duhet t'i mbajnë gjallë kostumet, kulturën dhe gjuhën e tyre kombëtare në mënyrë që ato të vazhdojnë tek brezat e rinj.
"Në të gjitha tokat turkmene, rrobat kombëtare vishen në formën e një zubuni dhe një xhakete. Gratë veshin rroba turkmene me një yll me gjysmëhënë", tha ai.
"Qëllimi ynë kryesor është të mbajmë gjallë gjuhën, ekzistencën dhe kulturën tonë. Ne e bëjmë këtë në raste të ndryshme. Kur shikojmë vitet e fundit, numri i të rinjve tanë që me të vërtetë duan të veshin rroba kombëtare është në rritje. Të gjithë na telefonojnë dhe thonë se duan rroba turkmene. I veshin ato në ditët e gjuhës ose në universitete. Shpresojmë të kemi projekte të ndryshme (për rrobat turkmene) në vitet e ardhshme", tha Erbilli.