Bekim Laci
01 Dhjetor 2015•Përditësim: 02 Dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Komisioni anketues parlamentar, pas konsultimeve disa ditore mes partive politike sot ka miratiuar rregulloren e punës për të cilën votuan 12 anëtarë të saj, njëri ishte i përmbajtur dhe një nuk votoi fare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në seancën e sotme, Komisioni doli me vendim që partitë politike të dorëzojnë në seancën e ardhshmë propozimet për planin e punës i cili pas harmonizimit do të miratohej si plan përfundimtar për punën e komisionit i cili ka për qëllim zbardhjen e aferës së përgjimeve të paligjshme.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në opozitë, Ernad Fejzullahu, para votimit tha se dëshiron të sqarojë përse ai nuk ka qenë pjesë e koordinimit ndërpartiak lidhur me miratimin e kësaj rregulloreje, për të cilën tha se do të votojë i përmbajtur.
Fejzullahu deklaroi se qëndrimi i tij dhe i partisë është se ky komision nuk do të ketë aspak sukses sepse siç tha partitë në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe VMRO-DPMNE-ja si dhe ajo në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) janë të përfshira në këtë skandal duke i akuzuar si fajtorët kryesorë.
Kryetari i Komisionit nga rradhët e LSDM-së Petre Shilegov u tha gazetarëve se është arritur harmonizimi i plotë i qëndrimeve.
“Seanca e rradhës u caktua për të enjten në ora 11:30. Çështja e diskutueshme lidhur me votën e kryetarit të komisionit është rregulluar ashtu që në rast të votimit të ndarë (8:8) caktohet seancë e re dhe nëse përsëri votat janë të ndara, komisioni e merR si përfundimtar votimin e dytë”, tha ai.
Seancat e Komisionit anketues do të emetohen drejtpërdrejtë në kanalin televiziv parlamentar dhe në rast të përputhjes së punës së Komisionit me punën e seancave plenare të Parlamentit, atëherë Komisioni do të emetohet i incizuar.
Komisioni anketues në Parlamentin e Maqedonisë u formua në pajtim me Marrëveshjen politike të “Përzhinës” dhe synon zbardhjen e aferave “Puç” dhe përgjimet e paligjshme në vend.
Komisioni anketues përbëhet nga 16 anëtarë, tetë nga partia në pushtet VMRO-DPMNE-ja, tre nga LSDM-ja opozitare, dy nga BDI-ja dhe nga një nga partitë opozitare Partia e Re Social Demokrate (PRSD) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) si dhe një deputet i pavarur.