Admir Fazlagikj
24 Shkurt 2016•Përditësim: 24 Shkurt 2016
SHKUP (AA) – Me 83 vota “për” dhe 3 “kundër”, shumica parlamentare të martën mbrëma në seancën e 95-të me radhë të Kuvendit të Maqedonisë vendosi të shfuqizojë vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, me ndryshim që Kuvendi të shpërndahet më 7 prill, gjegjësisht 60 ditë para zgjedhjeve. Me këtë vendim deputetët sërish votuan për caktimin e datës së zgjedhjeve, për të cilat vendosën 5 qershorin, por pa pëlqimin e të gjitha partive politike, raporton Anadolu Agency (AA).
Koordinatori i grupit parlamentar të Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM), Goran Sugarevski deklaroi se ky është një pranim i drejtpërdrejt sepse nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile më 24 prill, ashtu siç ishte dakorduar më herët në Marrëveshjen e Përzhinës.
“Pa pastrimin e listës zgjedhore dhe pa reforma për media të lira nuk mund të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike. Ky është qëndrimi të cilin e konfirmoi edhe komuniteti ndërkombëtar, garantues të Marrëveshjes së Përzhinës. Nuk do të marrim pjesë në votimin për ndryshimin e tij”, deklaroi Sugarevski,
Nga ana tjetër, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski theksoi se "është turp që opozita të ikë nga zgjedhjet dhe se më 5 qershor qytetarët e Republikës së Maqedonisë me zgjedhjen e tyre do ta tregojnë vullnetin e tyre”.
“Më 5 qershor me ju ose pa ju, qytetarët e Republikës së Maqedonisë do ta zgjedhin Kuvendin e ri, ndërsa ju vazhdoni edhe më tej me politikën tuaj nënçmuese, të turpshme dhe destruktive”, tha deputeti Dimovski.
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Talat Xhaferi doli me qëndrimin se BDI nuk ka se çfarë të turpërohet dhe shtoi se qëndron prapa vlerësimeve të faktorit ndërkombëtar. Ai poashtu u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë Marrëveshjen e Përzhinës.
"As unë dhe as BDI nuk ka nevojë që të turpërohemi para popullit tonë i cili na ka dhënë mandatin. Në pajtim me marrëveshjen që kërkuat, fituat një datë për zgjedhje të cilën e nënshkruajtët më 24 prill. Atëherë, sot dhe nesër partneri ynë është votuesi, populli jonë dhe faktori ndërkombëtar, vlerësimet e të cilit i kemi vlerësuar, respektuar dhe do të qëndrojmë prapa tyre. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë në Marrëveshjen”, tha Xhaferi.
Në fillim të seancës, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Trajko Veljanovski njoftoi se ministrat dhe zëvendës-ministrat shtesë të LSDM-së personalisht i kanë tërhequr dorëheqjet e kushtëzuara të cilat i dorëzuan të martën në Qeveri.
Sipas Marrëveshjes së Përzhinës të nënshkruar nga katër partitë më të mëdha në Maqedoni, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhej të mbahen më 24 prill.