Riyaz Khaliq Khaliq
20 Mars 2023•Përditësim: 20 Mars 2023
Australia arrestoi ish-ushtarin e saj për krime lufte për vrasjen e një burri afgan në një fushë me grurë, raporton Anadolu.
Policia Federale e Australisë (AFP) në një deklaratë bëri të ditur se pas hetimit të përbashkët të Zyrës së Hetuesit Special (OSI) dhe AFP-së "rezultoi që burri nga Uellsi i Ri Jugor u akuzua për krime lufte-vrasje".
"Dyshohet se ai vrau një afgan ndërsa ishte i dislokuar në Afganistan me Forcat e Mbrojtjes Australiane (ADF)", thuhet në deklaratë, duke iu referuar Oliver Schulz.
Schulz, 41-vjeç, u arrestua nga policia në Jindabyne në malet Snowy të Uellsit të Ri Jugor këtë mëngjes.
Australia ka kryer hetime të gjëra për krimet e dyshuara të luftës të kryera nga forcat e saj në Afganistan.
Më shumë se 39 mijë ushtarë australianë kanë shërbyer në Afganistan që nga viti 2001.
"Hap jashtëzakonisht domethënës", tha Sophie McNeill, akiviste e lartë e Human Rights Watch në Australi.
Ushtari i akuzuar mund të përballet me burgim të përjetshëm
Schulz është mbajtur në paraburgim dhe pritet të paraqitet në Gjykatën Lokale të Downing Center në një datë të mëvonshme, shtoi policia.
"Dënimi maksimal për veprën e krimit të luftës-vrasje është burgimi i përjetshëm", sipas policisë.
Kjo është hera e parë që ndonjë pjesëtar në shërbim ose ish-anëtar i Forcave të Mbrojtjes Australiane është akuzuar për krime lufte sipas ligjit australian.
Rawan Arraf, një avokate dhe drejtoresh ekzekutive në Qendrën Australiane për Drejtësi Ndërkombëtare, tha se akuzat e ngritura kundër Schulz ishin "gjithashtu hera e parë sipas nenit 268 të Kodit Penal të Komonuelthit".
"OSI dhe AFP po punojnë së bashku për të hetuar pretendimet për vepra penale sipas ligjit australian në lidhje me shkeljet e ligjeve të konflikteve të armatosura nga pjesëtarët e Forcave të Mbrojtjes Australiane në Afganistan midis 2005 dhe 2016", tha policia australiane.
- Pamjet e vrasjes
Sipas ABC News, akuza ndaj Schulz-it "ka të bëjë me vrasjen me armë zjarri të burrit afgan Dad Mohammad gjatë një bastisjeje të ADF-së në maj 2012 në provincën Uruzgan në Afganistanin jugor".
"Kjo vrasje u zbulua në mars 2020 nga programi Four Corners i ABC-së, i cili transmetoi pamjet që tregonin Schulz duke qëlluar Mohammad ndërsa afgani ishte i shtrirë në tokë", thuhet në raport.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 100 mijë civilë afganë kanë vdekur që kur ish-presidenti i SHBA-së, George W. Bush, autorizoi ofensivën në Afganistan në tetor 2001.
Kundër forcave ndërkombëtare ka pasur disa akuza për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve të pafajshëm në vendin e shkatërruar nga lufta.
Në vitin 2020, 39 ushtarë australianë u akuzuan për vrasje të paligjshme të civilëve ose të burgosurve afganë.
Një raport i porositur nga inspektori i përgjithshëm i Forcave të Mbrojtjes Australiane gjeti "informacion të besueshëm" se ushtarët australianë vranë civilë dhe të burgosur në Afganistan.
Sipas raportit, 25 pjesëtarë në detyrë ose të mëparshëm janë përfshirë në krime të rënda, si kryerës të veprave penale ose si bashkëpunëtorë.
Gjenerali Angus Campbell, shefi i Forcave të Mbrojtjes Australiane, u kërkoi falje afganëve për vrasjet.