Bekim Laci
13 Mars 2016•Përditësim: 13 Mars 2016
PARIS (AA) – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, takon sot ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Jean-Marc Ayrault bashkë me diplomatë të lartë evropian, ndërsa në axhendën e takimit janë çështje të ndryshme ndërkombëtare përfshirë bisedimet për paqe në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë si dhe shefja e diplomacisë së BE-së do t'i bashkohen takimit të sotëm në Paris.
Takimi bëhet në prag të bisedimeve të paqes për Sirinë të iniciuara në mënyrë indirekte nga Kombet e Bashkuara, të cilat duhet të fillojnë të hënën në Gjenevë.
Diplomatët do të duhet të diskutojnë edhe nismën eventuale për rifillim të procesit të paqes mes Palestinës dhe Izraelit, pasi Franca shpreson të mirëpresë një konferencë ndërkombëtare për këtë çështje në muajin prill. Situata kaotike në Libi, lufta civile në Jemen dhe procesi i paqes në Ukrainë janë pjesë e axhendës së sotme.