Fatjon Cuka
29 Dhjetor 2016•Përditësim: 30 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) gjatë mbledhjes së zhvilluar sot ka vendosur që të heq mandatin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si dhe kreut të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky vendim është marrë pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e mandatit të tyre me pretendimin se kanë shkelur ligjin për "Dekriminalizimin”. KQZ dy ditë më parë zhvilloi një seancë dëgjimore për çështjen në fjalë, ndërsa sot ka marrë vendimin përfundimtar për ndërprerjen e mandatave të 3 zyrtarëve.
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë më 20 dhjetor të këtij viti konfirmoi zyrtarisht nëpërmjet një njoftimi se dy deputetët Shkëlqim Selami (nga maxhoranca) dhe Dashamir Tahiri (nga opozita) dhe kryetari i bashkisë së Kavajës janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit për “Verifikimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji për "Dekriminalizimin”.
Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë pretendon se deputetët Selami dhe Tahiri, si dhe krybashkiaku Rroshi nuk kanë deklaruar në formularët e vetëdeklarimit dënime dhe ndjekjet penale në disa shtete të Bashkimit Evropian.