Laura Gamba Fadul
19 Gusht 2022•Përditësim: 21 Gusht 2022
Presidenti i Perusë, Pedro Castillo, të enjten njoftoi zbatimin e një programi për dëbimin e të huajve nga vendi "të cilët janë sjellë keq", raporton Anadolu Agency (AA).
Castillo më 10 gusht kishte njoftuar se qeveria do të paraqiste një projektligj në Kongres për të rritur shkaqet për dëbimin e të huajve që përfshihen në sjellje të paligjshme në vend me qëllim "të luftojnë pasigurinë e qytetarëve".
Kushtet e reja do të përfshijnë shkaqe të tilla si mosvaksinimi për COVID-19 dhe mosposedimi i kartës së identifikimit.
Kjo masë po ashtu ka për qëllim të dëbojë ata emigrantë që posedojnë armë zjarri, eksplozivë ose drogë të paautorizuar dhe që drejtojnë automjete pa lejen e duhur ose pa dëshmi pronësie.
Programi "Kthehu në vendin tënd", tha Castillo të enjten, kërkon "kthimin e qytetarëve që kanë ardhur nga vende të tjera dhe që janë sjellë keq në vendin tonë".
Zyra e Ombudsmanit peruan e dënoi masën, duke thënë se ajo kriminalizon popullsinë emigrante. Në llogarinë e saj në Twitter, agjencia i kërkoi Kongresit të mos e miratonte atë.
"Ligji kriminalizon emigrimin e parregullt dhe prek dinjitetin e refugjatëve dhe emigrantëve. Arsyet e propozuara për dëbim nuk kanë një vizion të situatës së të huajve në vend dhe të pengesave për të hyrë në procesin e rregullimit të imigracionit", tha Zyra e Ombudsmanit.
Edhe pse presidenti i Perusë nuk përmendi një popullsi specifike, masat do të preknin më së shumti 1,3 milion venezuelas që janë larguar nga vendi i tyre në kërkim të mundësive më të mira në Peru.