Zülfiya Yakup
24 Shkurt 2016•Përditësim: 25 Shkurt 2016
PRISHTINË (AA) - Kuvendi i Kosovës sot për rreth një orë përfundoi seancën e ndërprerë të premten, por në mungesë të opozitës, ku u miratuan disa projektligje, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi që kjo ishte vazhdim i seancës së ndërprerë, në fuqi ishte vendimi i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për përjashtimin e 23 deputetëve të opozitës për hedhje të gazit lotsjellës në seancën plenare.
Ndërkohë, për shkak të futjes apo hedhedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, disa deputetë të opozitës janë nën arrest shtëpiak.
Në emër të opozitës, lideri i "Vetëvendosjes", Visar Ymeri deklaroi se është vendosur që anëtarët e opozitës nuk do të marrin pjesë në Kuvend, ndërsa deputeti Albin Kurti ka thënë se opozita do të ndërhyjë në seancën e ardhshme të Kuvendit, posaçërisht nëse në rend të ditës është zgjedhja e Presidentit të Kosovës.
Ende nuk e dihet se kur do të caktohet seanca e radhës e Kuvendit, në të cilin do të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës. Mandati i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, përfundon më 7 prill, kurse sipas ligjit presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para skadimit të mandatit. Nëse ligjvënësit deri më 7 mars nuk zgjedhin presidentin e ri të Kosovës, atëherë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Para ndërtesës së Kuvendit ka vazhduar protesta e opozitës, e cila po kërkon dorëheqjen e Qeverisë dhe është kundër zgjedhjes së Hashim Thaçi, liderit të PDK-së, për President të Kosovës.
Opozita për gjashtë muaj ka bllokuar punën e Kuvendit përshkak marrëveshjeve për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Gjykata Kushtetuese deklaroi se asociacioni nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën, me çka opozita filloi të kërkojë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Opozita të shtunën, më 27 shkurt, ka paralajmëruar protestë të madhe në të cilën do të kërkohet dorëheqja e Qeverisë