Zülfiya Yakup
23 Tetor 2015•Përditësim: 23 Tetor 2015
PRISHTINË (AA)- Deputetët e opozitës sot sërish kanë hedhur gaz lotsjellës para zyrës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për të bllokuar mbajtjen e seancës së caktuar për ora 16, raporton Anadolu Agency (AA).
Lëvizja Vetëvendosje në profilin e saj në Facebook ka shkruar se pas hedhjes së gazit Vejseli ka blinduar Kuvendin me forca policore.
“Njësoj sikur që Isa Mustafa po e blindon shoqërinë duke arrestuar, përndjekur e rrëmbyer deputetë e qytetarë. Opozita nuk do të lëshojë pe kur është në pyetje sovraniteti shtetëror, interesi qytetar, liria dhe barazia”, thonë nga Vetëvendosja, nga ku shtojnë se protesta brenda Kuvendit do të vazhdojë deri në tërheqjen e marrëveshjes me Serbinë dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi.
Kryesia e Kuvendit kishte caktuar seancë për sot në ora 16:00, për të vazhduar punimet e mbetura si rezultat i gazit lotsjellës të hedhur që shkaktoi ndërprerje të punimeve.
Opozita në Kuvend kërkon shfuqizimin e marrëveshjes me Serbinë për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe anulimin e marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.