Tuğrul Çam
22 Shtator 2016•Përditësim: 22 Shtator 2016
NEW YORK (AA) - Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden në takimin e tij me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan ka ripërsëritur mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për demokracinë turke dhe se janë të gatshëm të ndihmojnë Turqinë në hetimet në lidhje me tentativën e grusht shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtëpia e Bardhë ka bërë një deklaratë në lidhje me takimin Erdoğan - Biden, ku sipas deklaratës zv/presidenti amerikan ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
Në deklaratë thuhet se dy liderët kanë diskutuar çështjen për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të koalicionit ndërkombëtar për eliminimin e organizatës terroriste DAESH. Është transmetuar se Erdoğan dhe Biden kanë diskutuar edhe për zhvillimet e rëndësishme rajonale që përfshijnë armëpushimin në Siri dhe përpjekjet për negociatat e Qipros.
"Zv/presidenti amerikan Joe Biden ka ripërsëritur mbështetjen e palëkundur për demokracinë turke dhe ka lavdëruar angazhimin e popullit turk për institucionet demokratike dhe mbizotërimin e ligjit. Biden ka theksuar ndër të tjera se SHBA-të janë të gatshme të ofrojnë mbështetjen për autoritetet turke në hetimin kundrejt tentativës së grusht shtetit që përmban dhunë dhe është e paligjshme si dhe ka potencuar se ekspertët ligjor amerikanë në këtë çështje janë të gatshëm të punojnë me bashkëbiseduesit e tyre", qëndron në deklaratë.
Më tej thuhet se Biden është shprehur se PKK-në e shohin si organizatë terroriste duke dënuar edhe njëherë sulmet e saj kundrejt forcave të sigurisë turke dhe civilëve. Biden gjithashtu ka thënë se shpreson që kjo të kthehet në një dialog politik që do të sjellë paqe për të gjithë qytetarët turq.