Bojan Bednar
06 prill 2023•Përditësim: 06 prill 2023
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se Serbia do të duhet të jetë shumë më e pranishme në Afrikë sepse aktualisht ka vetëm 12 ambasada funksionale në këtë kontinent, raporton Anadolu.
Në konferencën për media pas takimit me presidentin e Guinea-Bissau, Umaro Sissoko Embalo, Vuçiq theksoi se Serbia do të rinovojë politikën e saj në Afrikë dhe se shpreson se do të ketë prani dukshëm më të madhe në Afrikë.
"Është e pabesueshme që dikush të heqë dorë kaq lehtë nga një vend ku mund të kishte pasur një ndikim shumë më të madh, siç ishim ne", tha Vuçiq. Ai shtoi se Serbia do të duhet të shtojë aktivitetet e ambasadave të saj në Ganë dhe Nigeri dhe njoftoi hapjen e ambasadës në Guinea-Bissau.
Vuçiq tha se do të rrisë numrin e studentëve nga Guinea-Bissau që do të marrin bursa në Serbi dhe do t'u mundësojë të studiojnë në Beograd.
Ai shtoi se është pajtuar me Embalon që të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit dhe theksoi se beson se puna e përbashkët dhe shkëmbimi i përvojave do të rrisë nivelin e kompetencës së dy vendeve në luftën kundër terrorizmit.
Embalo tha se Guinea-Bissau është një vend vëllazëror me Serbinë dhe theksoi se marrëdhënie të tilla do të vazhdojnë të ndërtohen edhe në të ardhmen.
Ai përkujtoi se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve datojnë që nga koha e ish-Jugosllavisë.
Embalo përshëndeti nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për krijimin e mekanizmave të konsultimit politik dhe Marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale, të cilat u nënshkruan sot nga përfaqësuesit e dy vendeve.