Mintaha Neslihan Eroğlu
05 Korrik 2016•Përditësim: 06 Korrik 2016
PASADENA (AA) – Anija kozmike Juno e Administratës Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) që u dërgua nga Stacioni i Forcave Ajrore në Cape Canaveral në shtetin e Floridas në SHBA më 5 gusht 2011 për t’i zbuluar misteret e planetit më të madh në sistemin diellor, Jupiterit, pas udhëtimit pesëvjeçar ka arritur në orbitën e këtij planeti, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipi i Misionit Juno nga Jet Propulsion Laboratory (JPL) i NASA-s që ndodhet në qytetin Pasadena të Californias e që udhëheq këtë ngjarje historike e cila po realizohet në largësi prej 869 milionë kilometrash nga Toka, ka përjetuar momente historike me arritjen e anijes në orbitën e Jupiterit.
Kjo ngjarje historike që u realizua më 4 korrik, Ditën e pavarësisë së SHBA-ve, filloi në orën 05:18. Vendosja në orbitën e Jupiterit përbën fazën e tetë të misionit i cili ka gjithsej 13 faza, ndërsa gjatë kësaj faze Juno ka arritur në pikën “Perijove 0” (pika më e afërt e anijes kozmike me Jupiterin), me çka anija është ngadalësuar dhe është mundësuar ndezja e motorit kryesor.
Procesi i cili zgjati 35 minuta ka përfunduar në orën 05:53 kur anija kozmike Juno me sukses u vendos në orbitën e Jupiterit. Bëhet e ditur se para vendosjes Juno kishte konsumuar 232 kilogram lëndë djegëse, ndërsa gjatë procesit të ngadalësimit ajo shpenzoi 447 kilogram.
- “Ta kuptosh Jupiterin do të thotë ta kuptosh Sistemin Diellor”
Astrofizikani turk me detyrë në JPL Umut Yildiz, duke theksuar se shënuar çast madhor historik, u shpreh se “Juno ka arritur në pikën më të afërt të Jupiterit deri më tani, ndërsa vendosja e tij në orbitën e Jupiterit mund ta ndryshojë rrënjësisht të kuptuarit tonë rreth Jupiterit. Përveç që mund të kuptojmë se pse krijohet fushë aq e dendur magnetike e Jupiterit, gjithashtu mund të mësojmë se çfarë në të vërtetë ndodh nën atmosferën e tij. Në fakt, ne supozojmë se kur u krijua dielli para 4.5 miliardë viteve, Jupiteri ishte planeti i parë që u formua. Nëse e kuptojmë Jupiterin, mund t’i hedhim dritë edhe asaj se si u krijua sistemi diellor dhe planetet e tjera".