Agon Fehmiu
17 Mars 2016•Përditësim: 17 Mars 2016
PRISHTINË (AA) – Gjatë natës në mes të mërkurës dhe të enjtes, më saktësisht 30 minuta pas mesnatës së mbrëmshme, në Mitrovicë janë dëmtuar katër makina zyrtare të EULEX-it, ka njoftuar Policia e Kosovës në buletinin e sotëm ditor, raporton Anadolu Agency (AA).
“Rreth orës 00:30, të datës 17 mars 2016 në Mitrovicë, në një parking të cilin e përdorë 'EULEX'-i është raportuar se janë dëmtuar katër makina zyrtare. Dëmet e veturave që karakterizoheshin me gërvishtje dhe thyerje të dritave kanë ndodhur brenda hapësirave të parkingut që EULEX-i e përdorë për vetura zyrtare” thuhet në njoftimin e policisë e cila e ka cilësuar rastin si “dëmtim prone” ndërsa ka bërë me dije se janë duke u kryer hetime intensive.
Një djegie tjetër e makinës zyrtare ka ndodhur mbrëmë në Malishevë, rreth orës 22:30, me ç’rast “nga persona të dyshuar të panjohur është djegur makina zyrtare pronë e Gjykatës Themelore në Gjakovë” njofton PK, duke theksuar se në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitë përkatëse dhe lidhur me rastin janë duke i kryer hetimet intensive.