Agim Sulaj
28 Maj 2019•Përditësim: 28 Maj 2019
Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, KFOR-i, ka reaguar me një komunikatë për media pas operacionit të Policisë së Kosovës të ndërmarra në disa lokacione të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në reagimin e KFOR-it thuhet se Policia e Kosovës po ndërmerr hapa pas fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës, lidhur me një hetim mbi korrupsionin.
KFOR-i informon se kjo është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës.
"Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it (James Foggo) fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar", thuhet në komunikatë.
KFOR-i, siç shkruhet më tej, thotë se vazhdon ta monitorojë situatën "dhe është i gatshëm të intervenojë nëse kërkohet si përgjegjës i tretë në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara".
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë mëngjesin e sotëm filluan një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës i cili rezultoi me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe disa qytetarëve.
Siç bëri të ditur Policia e Kosovës në një komunikatë, këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së dhe policisë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe disa qytetarëve në vepra si "pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal", "kontrabandim me mallra", "keqpërdorim i pozitës zyrtare", "dhënie e ryshfetit" dhe "tregti e ndaluar".
Operacionin policor më herët e komentoi edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili në rrjetet sociale theksoi se bëhet fjalë për zbatimin e ligjit dhe asgjë tjetër, si dhe ftoi serbët e veriut të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin.