Dejan Maksimoviç
19 Prill 2017•Përditësim: 20 Prill 2017
MADRID (AA) - Trajneri i Bayern Mynihut, Carlo Ancelotti pas eliminimit të diskutueshëm të mbrëmshëm të ekipit të tij në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ishte shumë i zemëruar për shkak të një seri gabimesh të bëra nga arbitri hungarez Viktor Kassai. Në saj të tyre Reali në kohën shtesë fitoi 4:2 dhe u kualifikua për në gjysmëfinale, kurse Ancelotti, përveç që potencoi se arbitri nuk ishte në krye të detyrës, ai bëri thirrje për futjen sa më të shpejtë të teknologjisë- video, raporton Anadolu Agency (AA).
Kassai së pari pa ndonjë arsye e ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë Arturo Vidal në minutën e 84, i cili me ndërhyrje të rregullt ia mori topin lojtarit kundërshtar, ndërkaq më parë në dy raste ngurroi të bëjë të njëjtën gjë kur bëhej fjalë për mesfushorin e Real Madridit Casemiro. Pastaj në kohën shtesë me ndihmën e asistentëve të tij Kassai pranoi dy gola të Cristiano Ronaldos nga pozicioni jashtë-loje, e cila zemëroi jo vetëm Ancelottin, por të gjithë në Bayern.
"Nuk mund të vendosim një gjysëmfinalist në këtë mënyrë. Kjo nuk duhet të ndodhë në këtë nivel. Arbitri nuk ishte në krye të detyrës. Nuk mendoj se Real Madridi ka ndonjë ndikim tek arbitrat. Thjesht, arbitrat kanë sjellë vendim të gabuar. Unë kurrë nuk kam qenë për futjen e teknologjisë-video, por duhet të pranoj se tani unë konsiderojë se kjo është e domosdoshme", ka thënë trajneri italian.
Karl-Heinz Rummenigge, presidenti i Bayern Mynihut, gjithashtu nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij nga ndarja e drejtësisë në Santiago Bernabeu.
"Ka qenë një spektakël futbolli shumë emocional dhe vetëm mund të përgëzoj lojtarët e të dy ekipeve. Ekipi ynë ka dhënë më të mirën, kjo nuk duhet harruar. Ishte një ndeshje e mrekullueshme, por për fat të keq ne pamë disa vendime shumë të këqija në dëmin tonë. Sigurisht, arbitri ishte vrasësi i ndeshjes", tha Rummenigge.
Arjen Robben, sulmuesi bavarez, kishte se çfarë të thoshte për gjykimin. Ai tha se ekipit të tij mbrëmë në Madrid i ishte grabitur fitorja.
Real Madrid pas triumfit në Mynih 2:1, mbrëmë para tifozëve të saj pas 90 minutave pësoi humbje me rezultatin identik. Në kohën shtesë madrilenët shfrytëzuan avantazhin e një lojtari më shumë dhe gabimet e arbitrave dhe shënuan fitore me rezultatin 4:2.
Golat për Realin i kanë shënuar Ronaldo në minutat 76, 104 dhe 109, dhe Marco Asensio në minutën e 112-të, kurse për Bayernin Robert Lewandowski nga pika e bardhë në minutën e 53-të dhe një autogol i Sergio Ramos në minutën e 77-të.
Mbrëmë në gjysëmfinale u kualifikua edhe Atletico Madrid, skuadër e cila pas rezultatit 1:0 në ndeshjen e parë, luajti baraz 1:1 si mysafir i Leicester City.