Agim Sulaj
28 maj 2021•Përditësim: 29 maj 2021
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, nëpërmjet një konference për media ka bërë publike disa ndryshime në formacionin e Kosovës në dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, të cilat tha se do të shërbejnë si “test për të ardhmen”, raporton Anadolu Agency (AA).
Formacioni i Kosovës në ndeshjen kundër San Marinos më 1 qershor në “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe më 4 qershor kundër Maltës në Austri, do të jenë test sipas Challandes nëse mund “të llogarisin në disa lojtarë”.
Ai njoftoi se Kosova ka përzgjedhur 23 lojtarë, dy lojtarë për secilin pozicion ndërsa nga këta lojtarë do të ketë që luajnë në dy apo tri pozicione, “në mënyrë që të zbulohet pozita më ideale e tyre”.
“Dua t’i shoh disa lojtarë, që nënkupton t’u jap kohë disa lojtarëve dhe besoj se është e qartë. Ne kemi mundësinë që në këto dy ndeshje miqësore t’i testojmë disa lojtarë në disa pozicione dhe për mua është shumë e rëndësishme sjellja e konkurrencës për lojtarët e tjerë”, theksoi Challandes.
Përzgjedhja e lojtarëve për dy ndeshjet miqësore në vijim sipas Challandes do të jetë një mundësi e mirë që lojtarët me përvojë si Zymer Bytyqi i cili luan në Konyaspor të Turqisë të dëshmohen dhe të tregojnë se çfarë janë të aftë të bëjnë për ekipin kombëtar.
Ai theksoi se Aro Muriqi dhe Ibrahim Dresheviqi do t’i mungojnë Kosovës në dy ndeshjet e ardhshme për shkak se Dresheviq ka dalë pozitiv me koronavirus ndërsa Muriqi është i lënduar. Në vend të tyre ai tha se janë ftuar Betim Halimi dhe Mirlind Daku.
Po kështu, Challendes tha se janë edhe tre lojtarë të cilët do të bashkohen më vonë me kombëtaren si Astrit Selmai, Bashkim Ajdini dhe Herolind Shala të cilët për shkak të obligimeve në ekipet ku ata luajnë nuk kanë pasur mundësi t’i përgjigjen ftesës në kohë.
Challandes tha se ka qenë e rëndësishme për të që të sjellin në ekip disa lojtarë të rinj dhe t’u tregojnë disa lojtarëve që brenda ekipit ka konkurrencë.
Gjatë këtij muaji, nga Kosova janë “pensionuar” dy lojtarë të njohur, ish-kapiteni Anel Rashkaj si dhe sulmuesi Atdhe Nuhiu.
Kosova në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022” ndeshjen e ardhshme e ka si mysafire kundër Gjeorgjisë më 5 shtator ndërsa tre ditë më vonë, pret në Prishtinë Spanjën në ndeshjen kthyese.