Dejan Maksimoviç
06 Shkurt 2018•Përditësim: 07 Shkurt 2018
LONDËR (AA) - Klubi futbollistik anglez Chelsea, kampioni aktual i Anglisë, ka pësuar dy debakle në Premier Ligë në vetëm gjashtë ditë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht, ekipi i trajnerit Antonio Conte në Stamford Bridge u mposht nga Bournemouth 0:3 ndërsa mbrëmë si mysafire në Watford 1:4. Megjithatë, Conte thotë se nuk ka frikë nga shkarkimi sepse ai me nder bën punën e tij.
"Nuk shqetësohem për punën time. Punoj çdo ditë dhe jap 120 për qind nga vetja. Nëse kjo është e mjaftueshme, atëherë është në rregull. Në të kundërtën, klubi mund të sjellë një vendim tjetër. Është shumë e vështirë, sepse çdo ditë dhe në çdo konferencë për media më pyesin nëse jam i shqetësuar? Nuk jam i shqetësuar. Na pret ditë e re. Mund të jem trajneri i Chelsea-t ose jo. Cili është problemi? Shpirti im është i pastër. Bëj gjumë të qetë", ka thënë Conte.
Ai shtoi se po përpiqej të bënte gjithçka që ishte në mundësitë e tij për ta bërë "të kaltërtit" të luajnë më mirë dhe se nëse nga klubi nuk janë të kënaqur, ata mund të sjellin vendim për shkarkimin e tij.
"Jeta vazhdon, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë", përfundoi Conte.
Chelsea pas 26 xhirove në Premier Ligë mban vendin e katërt me 50 pikë, madje 19 pikë më pak se kryesuesi Manchester City dhe që tani është e qartë se nuk do të mund të mbrojë titullin e kampionit.