Handan Kazancı
13 Qershor 2021•Përditësim: 14 Qershor 2021
Mesfushori danez Christian Eriksen është në gjendje stabile dhe gjendet në spital "për ekzaminim të mëtejshëm" pasi pësoi kolaps në fushën e futbollit gjatë ndeshjes së kampionatit EURO 2020 kundër Finlandës të shtunën, tha Federata e Futbollit e Danimarkës (DBU), transmeton Anadolu Agency (AA).
“Këtë mëngjes kemi folur me Christian Eriksen-in, i cili u ka dërguar përshëndetje shokëve të tij të skuadrës. Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ai vazhdon të jetë në spital për ekzaminim të mëtejshëm”, njoftoi DBU në Twitter.
Të shtunën, afër fundit të pjesës së parë në Stadiumin Parken në Kopenhagë, Eriksen pësoi kolaps ndërsa po përpiqej të merrte kontrollin e topit.
Stafi mjekësor nxitoi në fushë për t'i bërë masazh kardiak yllit 29-vjeçar të Inter Milanit.
Pas përpjekjeve të tyre, Eriksen u vendos në barelë për t’u larguar nga fusha ku po zhvillohej ndeshja e Grupit B.
Kur iu vendos maskë oksigjeni në barelë, ai u pa duke vendosur dorën e majtë në ballë.
Ekipi danez formoi një hallkë rreth tij për të bllokuar njerëzit që të shkrepnin fotografi ose video.
Eriksen është lojtar i rregullt i Danimarkës, që ka shënuar 36 gola në 108 ndeshje ndërkombëtare për kombin e tij që nga debutimi në vitin 2010.
I konsideruar si një nga lojtarët më me reputacion në Evropë, Eriksen ka luajtur për Ajax-in dhe Tottenham Hotspur-in para transferimit të tij në Inter në vitin 2020.