Dejan Maksimoviç
07 Maj 2019•Përditësim: 08 Maj 2019
Uruguajani Diego Godin, (33 vjeçar), sot është paraqitur në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në të cilën njoftoi se pas nëntë vitesh, i jep fund qëndrimit në Atletico Madrid, raporton Anadolu Agency (AA).
"Takova disa herë drejtuesit e klubit për të diskutuar vazhdimin e bashkëpunimit, megjithatë është e qartë se nuk kemi arritur një marrëveshje", tha Godin.
"Po merr fund aventura më e bukur e karrierës dhe jetës sime. Jam krenar që kam hyrë në historinë e Atletico Madridit, për çka përsëri falënderoj të gjithë", tha Godin.
Përflitet se karrierën futbollistike do ta vazhdojë te Interi në Milano, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
Në Atletico mbërriti në vitin 2010 nga Villarreali, pas çka regjistroi 380 paraqitje dhe shënoi 26 gola. Më herët ka luajtur për klubet uruguaiane Cerro dhe Nacional.
Fanellën e kombëtares së Uruguajit e ka veshur 126 herë duke shënuar tetë gola.