Ekip
07 Maj 2017•Përditësim: 08 Maj 2017
VOLOS (AA) – Policia greke ka njoftuar se të shtunën të paktën dhjetë persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, u dërguan në spital, pasi u lënduan në përleshje mes tifozëve të klubit të Selanikut PAOK dhe atij athinas AEK para ndeshjes të finales së Kupës së Greqisë në Volos, raporton Anadolu Agency (AA).
Dyzet tifozë të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vend. Disave u janë qepur plagët, por ata prap morën pjesë në ndeshjen finale.
Përleshja nisi kur tifozët e PAOK dhe AEK, të cilët duhej të ishin të ndarë, u takuan në urën e këmbësorëve para stadiumit të cilën policia nuk e kishte siguruar. Si pasojë erdhi deri tek përplasja e ashpër mes tifozëve e cila ka zgjatur rreth gjysmë ore, derisa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe shok bomba.
Policia thotë se një prej tifozëve të plagosur rëndë është therrur me thikë ndërsa tjetri ka pësuar goditje të shumta në kokë.
Ndeshja finale ka përfunduar me fitoren e PAOK me rezultatin 2:1. Golashënuesit për klubin e Selanikut ishin Diego Biseswar në minutën e 24-t dhe Pedro Henrique në minutën e 81-të, ndërsa golin e vetëm për AEK-un e shënoi Lazaros Christodoulopoulos në minutën e 26-të.