Halis Sünnetci
16 nëntor 2026•Përditësim: 16 nëntor 2026
Ylli i basketbollit, LeBron James u ngjit të dielën në vendin e tretë në listën e lojtarëve me më shumë asistime në historinë e NBA-së, duke kaluar legjendën Jason Kidd, gjatë fitores së Philadelphia 76ers ndaj Indiana Pacers me rezultatin 131-124, transmeton Anadolu.
James regjistroi asistimin e tij të 12.092-të në karrierë në çerekun e katërt, kur asistoi për bashkëlojtarin VJ Edgecombe, duke kaluar kështu shifrën prej 12.091 asistimesh të Kiddit.
Basketbollisti 41-vjeçar e përfundoi ndeshjen me 15 pikë, 11 asistime dhe shtatë kërcime, duke ndihmuar Philadelphia 76ers të regjistrojë fitoren e 11-të në 14 ndeshje këtë sezon.
James, i cili tashmë mban rekordin e NBA-së për më shumë pikë të shënuara në karrierë, renditet pas John Stockton, që kryeson listën me 15.806 asistime dhe Chris Paul që zë vendin e dytë me 12.552.
Ai e arriti këtë sukses në sezonin e tij të 24-t në NBA ndërsa këtë vit iu bashkua Philadelphia-s, ku gjithnjë e më shumë po merr rolin e organizatorit të lojës.
James, i cili mbush 42 vjeç në dhjetor, këtë sezon po regjistron mesatarisht 15,1 pikë për ndeshje, mesataren më të ulët të shënimit në karrierën e tij.