Bakir Tiro
23 Maj 2019•Përditësim: 23 Maj 2019
Kapiteni i ekipit kombëtar të Kroacisë në futboll, Luka Modriç (33), pothuajse është e sigurt se do të mbetet lojtar i Real Madridit të paktën deri në verën e vitit 2021, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndonëse shumë media spanjolle ditëve të fundit shkruanin se kroati do të mund të largohet nga Santiago Bernabeu këtë verë, lojtari i cili zyrtarisht është më i mirë në botë për vitin 2018, do të marrë një kontratë të re të cilën do t’ia ofrojnë krerët e Realit.
Informatat e fundit flasin se Modriç është i kënaqur me kushtet dhe me kontratën e re që do t'i ofrohet për të qenë pjesë e ekipit të trajnerit Zinedine Zidane.
Ai erdhi në Real në gusht të vitit 2012 duke u transferuar nga Tottenhami anglez. Që atëherë, ai ka regjistruar 303 ndeshje për klubin “mbretëror”, duke qenë një nga lojtarët kryesorë të ekipit gjatë fitoreve të shumta në skenën ndërkombëtare dhe atë spanjolle.