Didar Yüsra Dilruba Öz
10 shkurt 2017•Përditësim: 10 shkurt 2017
ANKARA (AA) – Së paku 23 terroristë të DEASH-it janë neutralizuar në veri të Sirisë gjatë 24 orëve të fundit gjatë operacionit ushtarak “Mburoja e Eufratit”, thuhet të premten në njoftimin e Shtabit të Ushtrisë së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet turke në deklaratat e tyre për opinionin përdorin fjalën neutralizuar, që nënkupton se terroristët janë të vrarë, arrestuar ose rrethuar.
Në njoftim thuhet se 154 objektiva të DEASH-it, duke përfshirë strehimore, komanda, pozita mbrojtëse dhe automjete, janë goditur nga luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) me mbështetje të forcave tokësore turke.
Avionët luftarak turq kanë shkatërruar shtatë ndërtesa të cilat janë përdorur si strehë, më pas tre seli dhe depo armësh të DEASH-it. Ushtria turke ndihmon ULS-në për çlirimin e qytetit strategjik Al-Bab nga terroristët e DEASH-it.
Të premten u shënua dita e 171-të e operacionit “Mburoja e Eufratit”. Operacioni “Mburoja e Eufratit” filloi në fund të muajit gusht të vitit të kaluar me qëllim që të forcohet siguria e kufirit, të eliminohet kërcënimi terrorist përgjatë kufirit turk me Sirinë dhe të mbështeten forcat opozitare në Siri.