Hatice Özdemir Tosun
27 Mars 2019•Përditësim: 28 Mars 2019
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) shpërfillën ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB) duke e njohur rajonin e Lartësirave të Golanit si territor i Izraelit, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
"Duke shpërfillur ligjin, të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së, SHBA firmosi një letër. Çfarë na qenka kjo? Lartësirat e Golanit, territor i Sirisë, do të bëheshkan territor i Izraelit, që deri më sot ka qenë okupator", tha kryediplomati i Turqisë në një miting në Antalya.
"A ka ndonjë vend tjetër musliman pos nesh që ka reaguar. Ku është Liga Arabe? Ku është solidarizimi? Pavarësisht nëse e doni apo jo regjimin atje, kjo është çështje tjetër, por ai vend është i vëllezërve tanë sirianë dhe territor i Sirisë", shtoi Çavuşoğlu.
Ndryshe, presidenti i SHBA-së Donald Trump dy ditë më parë gjatë një takimi me Benjamin Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë firmosi dekretin presidencial që "njeh zyrtarisht sovranitetin e Izraelit mbi Lartësirat e Golanit".
Izraeli që prej vitit 1967 mban nën pushtim Lartësirat e Golanit, që janë territor i Sirisë.