Nuray Tunçay
20 Shtator 2016•Përditësim: 21 Shtator 2016
STAMBOLL (AA) - Kryetari i Parlamentit të Madh të Turqisë (TBMM), Ismail Kahraman, ka deklaruar se kanë vendosur të ruajnë gjurmët e bombave në zyrën e Kryeministrit dhe për rreth saj duke ngritur kështu një muze të cilin do ta quajnë "Muzeu i Demokracisë", raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i TBMM ka dalë në një konferencë për shtyp në lidhje me "Simpoziumin Ndërkombëtar për Kohën e Sulltan Abudlahmitit të Dytë dhe 174 vjetorit të lindjes së tij", në rezidencën Dolmabahçe.
Pas një pyetjeje mbi thirrjet e liderit të Partisë Republikane Popullore, Kemal Kılıçdaroğlu, për heqjen e gërmadhave të krijuara nga bombardimet në Parlament, Kahraman është shprehur: "Siç e dini të gjitha xhamat dhe vendet e tjera të thyera në Parlament janë rregulluar. Puna ende është duke vazhduar. Por dhoma e Kryeministrit dhe rrethinat ku ka gjurmë të bombave të rëna do të ruhen dhe në to do të ngrihet një muze i emërtuar si "Muzeu i Demokracisë".
"Do të ngrihet një tjetër vendstrehim"
Duke theksuar se delegacionet që vizitojnë Ankaranë për të shprehur ngushëllimet janë dërguar për të shikuar këto vende, Kahraman më pas ka shtuar: "Ka një gropë në vendin ku ka rënë një bombë në kopshtin e Parlamentit. Atje ndodhet gjithashtu edhe një makinë e shtypur nga një tank. Këtë ambient mendojmë ta mbyllim dhe rruga që të çon për tek kjo gropë do të quhet "rruga e demokracisë". Në cepin e saj do të ketë një vend ku do të tregohen fotografitë për 15 korrikun. Për të bërë këtë një grup prej 15 personash janë duke punuar. Krahas kësaj kemi nisur një nismë me moton 'Parlamentin e bën populli'. Në këtë kuadër rreth 62 kompani do të kontribuojnë për punimet këtu. Për fat të keq Parlamenti jonë është dizajnuar nga një arkitekt austriak në vitin 1958. Në punën e kryer nga arkitekti Clemens Holzmeister nuk ka një vendstrehim të duhur. Pamë që vendstrehimi i ndërtuar nuk ishte i mjaftueshëm, madje nuk ishte fare. Do të ndërtojmë një vendstrehim në përputhje me kushtet e sotme.''
Kryetari i TBMM, Kahraman, theksoi se muzeu në fjalë do të ndërtohet për të përkujtuar dhe për të lënë gjurmë se tentativa për grusht shteti më 15 korrik është penguar nga populli.