Cankut Taşdan
06 prill 2021•Përditësim: 06 prill 2021
Të paktën 38 persona u arrestuan në Turqi nën dyshimet për lidhje me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grushtit të shtetit të mposhtur të vitit 2016, sipas burimeve të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia në kryeqytetin Ankara arrestoi 13 të dyshuar të FETO-s pasi prokurorët lëshuan urdhër për arrestimin e 16 të dyshuarve në qytet në lidhje me kurdisjen e provimit të policisë në vitin 2012.
Përpjekjet janë duke vazhduar për arrestimin e të dyshuarve të mbetur.
Ndaras nga kjo, prokurorët në provincën perëndimore të Izmirit kërkuan arrestimin e 15 të dyshuarve si pjesë e një hetimi të nisur ndaj të dyshuarve për përdorimin e aplikacionit të mesazheve të koduar të grupit terrorist, ByLock. Në total, 10 të dyshuar u arrestuan në operacionin i cili është në vijim e sipër në Izmir.
Ndërkohë, prokurorët në provincën qendrore Kayseri kërkuan arrestimin e 20 të dyshuarve, përfshirë ushtarakë në detyrë dhe të shkarkuar, si pjesë e një hetimi të nisur për depërtimin e grupit terrorist në ushtri, tha burimi në kushte anonimiteti.
Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan tentativën për grusht shteti më 15 korrik 2016, i cili la 251 njerëz të martirizuar dhe 2.734 të plagosur.
FETO qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes depërtimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.