Fatma Bülbül
20 Shtator 2016•Përditësim: 20 Shtator 2016
GAZIANTEP (AA) – Dy ushtarë në Turqi të martën kanë rënë dëshmorë kur një mjet i improvizuar shpërtheu në afërsi të kufirit sirian në provincën juglindore të vendit Gaziantep, bëri të ditur një burim nga forcat e sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Incidenti ndodhi gjatë një operacioni çminimi në jug të zonës Akkoyunlu në distriktin Oguzeli, tha burimi, duke folur në kushte anonime.
Ushtarët, të cilët ishin të plagosur rëndë në këtë incident, humbën jetën në Spitalin Universitar Gaziantep.
Ushtria turke të enjten e kaluar njoftoi se 26 mina dhe 671 mjete shpërthyese të vendosura nga terroristët e DAESH-it janë çaktivizuar që nga fillimi i operacionit “Mburoja e Eufratit” më 24 gusht.
Operacioni në veri të Sirisë i mbështetur nga forcat e koalicionit, synon përmirësimin e sigurisë, dhe eliminimin e kërcënimit terrorist përgjatë kufirit të Turqisë duke bashkëpunuar me Ushtrinë e Lirë Siriane të mbështetur nga forca të blinduara, artileria, dhe avionët e Turqisë.