Sibel Vezaj
14 Nëntor 2016•Përditësim: 15 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Institucioni i Shërbimeve të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) sot me një ceremoni solemne bëri shpërndarjen e certifikatave për 44 studentë të suksesshëm të gjeneratës së tretë për KEDS Academy, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë kësaj ceremonie të pranishëm ishin ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjam Dema, kryetar i bordit të Drejtorëve Çalık Holding, Ahmet Çalık, kryetar nderi i Bordit të drejtorëve Limak Group, Nihat Özdemir, si dhe përfaqësues të shumtë të KEDS-it, studentë dhe përfaqësues të shoqërive civile.

Gjatë fjalimit të tij, ideatori dhe themeluesi i programit KEDS Academy, Mesut Serhat Dinç u shpreh se kjo akademi është themeluar me idenë që edukimi është arma më e mirë për ta ndryshuar botën. “Ne kemi filluar t’i hapim dyert për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës të cilët do të jenë të pajisur me shkathtësitë e duhura dhe me mentalitetin e duhur për të bërë ndryshme”, tha Dinç.
Kurse kryetar nderi i Bordit të drejtorëve Limak Group, Nihat Özdemir u shpreh se qëllimi i tyre është që të kontribuojnë pozitivisht në çdo vend ku bëjnë investime. Duke vënë në dukje se Kosova do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrat e tyre, Özdemir ka theksuar se “Popullsia e re e Kosovës është një potencial shumë i madh, por është shumë e rëndësishme që kjo gjeneratë të edukohet mirë dhe të përgatitet për të ardhmen. Në këtë kuptim Akademia KEDS e luan një rol shumë të rëndësishëm dhe është një shembull i mirë."
Nga ana e tij, kryetar i bordit të Drejtorëve Çalık Holding, Ahmet Çalık foli për marrëdhëniet e thella me shtetin e Kosovës dhe theksoi se do të vazhdojnë të krijojnë projekte për të ndërtuar një Kosovë më të fuqishme. “Rruga më e mirë për të kontribuar për gjeneratat e ardhshme është të mbështesim edukimin e tyre. Për këtë arsye ne japim rëndësi të madhe për KEDS Academy dhe ne do të kontribuojmë gjithmonë për arsimin në këtë shtet të bukur”, tha Çalık.
Së fundi, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci u shpreh se tani Kosova është në një fazë të rëndësishme të modernizimit të sistemit të shpërndarjes dhe të furnizimit të energjisë, duke vënë në dukje se ky është një nga sektorët më vital për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të një vendi.
“Ne sot po i bëjmë përpjekjet e fundit që këto hapa të modernizimit t'i përfundojmë për ta mbyllur qarkun në mënyrën më të mirë të mundshme me projektin më të madh në vendin tonë, që do të jetë investim i huaj direkt, projekti që do të ketë vlerën më të madhe jo vetëm në Kosovën e pasluftës, por edhe në atë paraluftës, në vlerë prej 1 miliardë eurosh”, tha Stavileci.
Pas fjalimeve, pjesëmarrësit u ndanë certifikatat 44 studentëve të suksesshëm të kësaj akademie.
KEDS ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe është pronë e kompanive prestigjioze turke Çalık Holding dhe Limak Group.