Shkup
Në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 14-të të studentëve, raporton Anadolu.
Në ceremoni, përpos udhëheqësve dhe stafit të IBU-së, të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zy/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, deputetë, përfaqësues të Ambasadës së Türkiyes në Shkup, përfaqësues të institucioneve turke në Maqedoninë e Veriut, si dhe një numër i madh i familjarëve të studentëve.
Kryeparlamentari Afrim Gashi në fjalimin e tij tha se IBU është një vlerë e shtuar me të cilën mund të krenohet shoqëria e Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se në të studiojnë studentë të përkatësive të ndryshme etnike dhe fetare.
Ai gjithashtu tha se me atmosferën e krijuar, IBU i pajis studentët edhe me dije, por edhe me vlera morale.
“Shpresoj që i keni përfituar të dyja, dijen dhe virtytin, pasi vetëm atëherë do të jeni qenie njerëzore me të vërtetë të lira dhe do të jeni në gjendje të justifikoni përgjegjësinë madhështore për të cilën jemi krijuar, si shërbëtorë të Zotit në Tokë”, tha Gashi.
Zv/kryeministri Mexhiti gjatë fjalimit të tij u zotua se do të rrisë bashkëpunimin me universitetet, duke shtuar se shoqëria ka nevojë për kuadrot e kualifikuara.
“Ju, të dashur studentë, jeni ata që më motivoni mua. Kur shikoj ambiciet tuaja, përkushtimin ndaj suksesit, investimin tuaj në vetvete, dëshiroj të punoj shumë më shumë dhe shumë më mirë në mënyrë që vendi t’ua krijojë juve të gjitha mundësitë për të qëndruar këtu, për të punuar këtu dhe për të kontribuuar këtu, sepse mundi juaj vlerësohet dhe do të shpërblehet”, tha Mexhiti.
Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Lütfi Sunar, në fjalën e tij përshëndetëse uroi studentët, duke theksuar se njohuritë që kanë fituar gjatë studimeve janë vetëm fillimi i rrugëtimit të tyre.
Ai gjithashtu u shpreh se ndihet i lënduar nga lufta në Gaza, duke theksuar se duhet qëndruar mbështetur përpjekjet për paqe.
“Gjenocidi i vazhdueshëm në Gaza dhe vuajtjet e popullit palestinez na kujtojnë nevojën e madhe për drejtësi, dhembshuri dhe paqe. Humbja e jetëve të pafajshme dhe vështirësitë me të cilat përballen familjet në Gaza, na lëndojnë shumë zemrat. Si individë të arsimuar dhe të ndërgjegjshëm, ne duhet të qëndrojmë kundër shtypjes dhe të mbështesim përpjekjet drejt një paqeje për të gjithë”, tha Sunar.
Pas fjalimeve përshëndetëse, studentëve iu ndanë diplomat. Disa prej studentëve, duke shprehur solidaritet me popullin palestinez, mbanin flamuj dhe veshje simbolike palestineze.
Ceremonia përfundoi me hedhjen tradicionale të kapelave dhe me fishekzjare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.