Figen Shaban
28 Korrik 2017•Përditësim: 28 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) – Sot në orët e para të mëngjesit është djegur vetura e Oliver Ivanoviçit, liderit të Iniciativës Qytetare SDP (subjekt politik i komunitetit serb në Kosovë), në pjesën veriore të Mitrovicës, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Besim Hoti ka konfirmuar për AA se policia sot rreth orës katër të mëngjesit ka marrë informacion se makina e parkuar është djegur në rrugën "Lola Ribar" në veri të Mitrovicës.
“Ekipi i policisë ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për hetime por vetura ishte e djegur tërësisht. Rasti është klasifikuar si zjarrvënie dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm", theksoi Hoti.
Ai tha se autorët dhe motivet e këtij incidenti nuk dihen por policia është në kërkim të autorëve mbi motivet e mundshme.
Kjo është hera e dytë që shkatërrohet makina e Oliver Ivanoviçit. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2005 ishte vënë një bombë në veturën e tij, e cila ishte e parkuar para ndërtesës ku jetonte në veri të Mitrovicës.
Ivanoviç është në pritje të rigjykimit pas aktakuzës për krime të luftës. Ai pasi që qëndroi tre vite në burg, pret të gjykohet sërish.