Fatjon Cuka
28 Korrik 2017•Përditësim: 29 Korrik 2017
TIRANË (AA) -Një zjarr ka shpërthyer në restorantin e një resorti turistik në plazhin e Velipojës, në qarkun e Shkodrës, ku si pasojë janë plagosur disa persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se 3 persona janë dërguar në spital me lëndime në trup, për shkak të shpërthimit që dyshohet të jetë shkaktuar nga bombola e gazit dhe zjarrit që ka përfshirë një pjesë të ambientit të restorantit.
"Nga informacionet paraprake informohemi se janë tre shtetas të lënduar, ndër to edhe pronari lokalit shtetasi B. Z. 55 vjeç në gjendje të rëndë për jetën, si dhe shtetasi H. Z. dhe shtetasja S. S. 19 vjeçe, të cilët janë në Spitalin Rajonal Shkodër jashtë rreziku për jetën", thuhet në njoftim nga Policia e Shkodrës.
Pas shpërthimit në vendngjarje kanë shkuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, zjarrfikëset, shërbimet e policisë, dhe ekipet e emergjencave civile, për të bërë edhe evakuimin e banorëve rreth restorantit.