Gizem Nisa Çebi
04 shtator 2024•Përditësim: 05 shtator 2024
Në një konferencë mbi “Navigimin e inteligjencës artificiale dhe median”, i mbajtur në Istanbul, drejtuesit e mediave theksuan ndikimin e thellë të inteligjencës artificiale në gazetari, si dhe potencialin dhe sfidat e saj, raporton Anadolu.
Zv/drejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i Anadolu-t, Yusuf Özhan, hapi panelin e titulluar “Roli i inteligjencës artificiale në formësimin e perspektivës së medias, duke trajtuar ndikimin në rritje të inteligjencës artificiale në media”.
“Inteligjenca artificiale ofron mjete të jashtëzakonshme për personalizimin dhe efikasitet, por gjithashtu paraqet sfida, veçanërisht në lidhje me etikën, paragjykimin dhe integritetin e gazetarisë”, tha Özhan gjatë fjalimit të tij.
Özhan gjithashtu zbuloi se gjatë përgatitjes për diskutim, ai u mbështet në mjetet e inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT-në, për t’i dhënë një formë pyetjeve për panelistët.
“Është një test i mirë edhe për ChatGPT-në, pavarësisht nëse është një moderator i mirë ose jo”, tha Özhan.
Ai theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit të inteligjencës artificiale, duke qenë gjithashtu i ndërgjegjshëm për kufizimet e tij.
“Siç e dimë, inteligjenca artificiale ndikon gjithnjë e më shumë në mënyrën se si media prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet. Por derisa inteligjenca artificiale mund të rrisë efikasitetin, është vendimtare të ruhen vlerat thelbësore të gazetarisë, e vërteta, saktësia dhe integriteti”, tha ai.
Më pas në diskutim, presidenti i agjencisë greke të lajmeve AMNA, Aimilios Perdikaris, theksoi natyrën transformuese të inteligjencës artificiale në prodhimin dhe konsumin e medias, duke theksuar edhe mundësitë dhe sfidat.
“Peizazhi po ndryshon vazhdimisht dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë në modelet. Nuk presim që inteligjenca artificiale të na zëvendësojë”, tha Perdikaris, duke theksuar rëndësinë e përshtatjes me teknologjitë e reja duke ruajtur mbikëqyrjen njerëzore.
Kiril Valçev, president i agjencisë së lajmeve BTA të Bullgarisë, theksoi domosdoshmërinë e trajnimit të stafit për të përdorur në mënyrë efektive inteligjencën artificiale.
“Pa njerëz, inteligjenca artificiale nuk është asgjë. Kjo është arsyeja pse detyra jonë e parë është të zhvillojmë stafin tonë për të mësuar se si të përdorin inteligjencën artificiale”, pohoi ai.
Valçev gjithashtu foli për sfidat e zbatimit të inteligjencës artificiale në gjuhët jo-angleze, duke theksuar nevojën për mjete të specializuar të inteligjencës artificiale të përshtatura për kontekste specifike gjuhësore dhe kulturore.
Rodolfo Cardarelli nga agjencia italiane e lajmeve ANSA shprehu po ashtu shqetësim për ndikimin e mundshëm të inteligjencës artificiale në besueshmërinë e medias, veçanërisht në një peizazh që digjitalizohet me shpejtësi.
“Problemi nuk është teknologjia, por humbja e vlerave si besueshmëria”, paralajmëroi Cardarelli, duke theksuar rrezikun që inteligjenca artificiale të zvogëlojë besueshmërinë e organizatave të lajmeve.
Panelistët pranuan kolektivisht se derisa inteligjenca artificiale ofron përparime të rëndësishme, integrimi i saj në media duhet të menaxhohet me kujdes për të ruajtur integritetin gazetaresk.
Diskutimi përfundoi me një thirrje për të balancuar përfitimet e inteligjencës artificiale me nevojën për raportim të paanshëm dhe të larmishëm, duke njohur vlerën e qëndrueshme të mbikëqyrjes njerëzore në ruajtjen e besueshmërisë së lajmit.
Anadolu, e cila, organizoi konferencën në Istanbul.
"Navigimi i inteligjencës artificiale dhe media" u organizua nga Anadolu, e cila mban presidencën e ABNA-SE për vitin 2024, me mbështetjen e anëtarëve të delegacionit të Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve - Evropa Juglindore (ABNA-SE), si dhe me pjesëmarrjen e ministrit të Industrisë dhe Teknologjisë së Türkiyes, Mehmet Fatih Kacır, presidentin dhe shefin ekzekutiv të Anadolu-t, Serdar Karagöz dhe sekretarin e përgjithshëm të ABNA-SE, Kiril Valçev.