Agim Sulaj
30 Dhjetor 2020•Përditësim: 30 Dhjetor 2020
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dërguar letër kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç, të cilit i ka shprehur keqardhjen për viktimat e tërmetit dhe i ka ofruar mbështetjen e institucioneve të Kosovës për t’u përballur me pasojat, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Hoti duke ngushëlluar homologun e tij kroat për humbjen e jetëve dhe shkatërrimeve nga tërmeti, i ka ofruar atij mbështetjen e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për misionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Kroaci.
Hoti ka shprehur besimin se Kroacia do ta kalojë këtë fatkeqësi natyrore ndërsa ka theksuar “gatishmërinë e Kosovës për të ofruar ndihmë me të gjitha kapacitetet”.
“Si vend mik dhe si aleat, Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Kroacinë dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka në kapacitetet tona për të lehtësuar vuajtjet dhe për të tejkaluar sa më shpejtë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore. Populli i Kosovës është këtu për të ndihmuar dhe kjo ndihmë ofrohet me gjithë zemër”, thuhet në letrën e kryeministrit Hoti.
Po ashtu Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë zhvilluar biseda me institucionet homologe nga Kroacia, të cilave u kanë shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së për të ofruar ndihmën e nevojshme për tejkalimin sa më të shpejtë të pasojave që ka lënë tërmeti.
Gjatë ditës së djeshme një tërmet i fuqishëm prej 6,3 ballësh goditi kryeqytetin kroat Zagreb.
Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 10 kilometrash në Petrinja të qytetit Sisak, rreth 51 kilometra në juglindje të kryeqytetit.
Nga kjo fatkeqësi natyrore humbën jetën 7 persona, përfshirë një vajzë 12-vjeçare, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën në incidentet e lidhura me tërmetin. Në Petrinjë dhe Sisak po ashtu u dëmtuan disa ndërtesa.