Agim Sulaj
20 Korrik 2022•Përditësim: 20 Korrik 2022
Me qëllim që Qeveria e Kosovës t’i afrohet sektorit joqeveritar, organizatave të ndryshme dhe përfaqësuesve të mediave nga komunitetet pakicë, është mbajtur në Qeverinë e Kosovës takimi i organizuar nga zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi me temën “Vlerësimi i gjendjes aktuale të komunitetit turk në Kosovë’’, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapje të takimit, zv/kryeministrja Rexhepi tha se plani është që deri në fund të gushtit të zhvillohen takime me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve, në mënyrë që përfundimisht të përgatitet një përmbledhje e gjendjes në të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë që Qeveria të mund të ndihmojë më lehtë në zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në mbledhjen e mbajtur në Qeverinë e Kosovës mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fjalën e tij hyrëse tha se komuniteti turk ka kontribuar shumë në zhvillimin, demokratizimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Ne e dimë që edhe para luftës edhe pas luftës, por edhe para shpalljes së pavarësisë e pas shpalljes së pavarësisë raportet tona ndërnjerëzore, qytetare e politike kanë qenë gjithmonë të larta por jemi të bindur se mund të bëjmë më shumë dhe më mirë duke evidentuar pengesat, vështirësitë, sfidat që i kemi, duke i tejkaluar së bashku me vullnet qytetar e shoqëror në njërën anë, por edhe në anën tjetër me angazhime e përgjegjësi institucionale”, theksoi Kurti.
Ai tha se me kënaqësi do të dëgjojë propozimet dhe idetë për tejkalimin e problemeve me të cilat ballafaqohet komuniteti turk.
Kryeministri Kurti falënderoi komunitetin turk për kontributin e dhënë në fushën e ekonomisë, përmes industrisë, bujqësisë, prodhimit, tregtisë, zejtarisë, ndërsa po ashtu falënderoi ata rolin e dyfishtë, si qytetarë të Kosovës dhe si urë lidhëse e Kosovës me shtetin aleat dhe mik, Republikën e Türkiye-s (Turqisë).
Sevim Kazaz, këshilltarja e zëvendëskryeministres Rexhepi nga Partia Demokratike Turke (KDTP) e Kosovës, prezantoi një raport mbi gjendjen aktuale të komunitetit turk në Kosovë.
Kazaz theksoi se në Kosovë jetojnë 18.700 pjesëtarë të komunitetit turk sipas regjistrimit të fundit të vitit 2011, që është 1.1 për qind e popullsisë së Kosovës. Ajo ka theksuar se turqit sipas Kushtetutës kanë të rezervuar dy deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe kanë edhe një ministër në këtë qeveri.
“Turqit që jetojnë në Kosovë kanë të drejta në shumë fusha si ajo e arsimit, gjuhës, politikës dhe në atë sociale. Por, nuk duhet të harrojmë përpjekja që jepet për t'i fituar këto të drejta dhe për vështirësitë që përjetohen për t’i mbrojtur këto të drejta”, theksoi Kazaz.
Megjithatë, ajo theksoi se shpeshherë nuk zbatohet ligji i punësimit të pjesëtarëve të komunitetit pakicë, i cili duhet të jetë 10 për qind në të gjitha institucionet dhe se shpeshherë pozitat e rezervuara për komunitetin turk janë të zëna nga shqiptarët.
Kazaz po ashtu ka përmendur si problem edhe ligjin për përdorimin e gjuhës i cili sipas saj nuk zbatohet mjaftueshëm në nivel komunal, sepse ka mungesë të përkthyesve.
Ajo theksoi se shteti i Turqisë ndihmon shumë në arsimin në gjuhën turke në Kosovë, por se duhet të punohet në përmirësimin e cilësisë së mësimit në gjuhën turke, si në shkollat fillore dhe të mesme, ashtu edhe në departamentin e gjuhës turke në Universitetin e Prishtinës (UP).
Sipas Kazaz, në Kosovë ekzistojnë më shumë se 100 organizata joqeveritare nga komuniteti turk nga fusha të ndryshme të jetës, të cilat kontribuojnë në jetën e komunitetit.
Pas prezantimeve hyrëse dhe raporteve për gjendjen e komunitetit turk, diskutimi ka vazhduar pa praninë e mediave.