Fatjon Cuka
05 Prill 2022•Përditësim: 06 Prill 2022
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, po realizon një vizitë zyrtare në Bullgari, ndërkohë është takuar me homologun e tij bullgar, Rumen Radev, transmeton Anadolu Agency(AA).
Presidenti Meta është pritur fillimisht me ceremoni zyrtare nga presidenti i Bulgarisë, ndërkohë më pas është mbajtur takimi Meta-Radev dhe takimi mes delegacioneve.
Pas takimeve, Meta dhe Radev kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Presidencës së Shqipërisë, Meta ka theksuar se marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy popujve kanë qenë gjithmonë shumë miqësore.
“Jam krenar që bashkëpunimi me ju, bashkëpunimi midis qeverive dhe autoriteteve tona, është shumë i ngushtë në të gjitha drejtimet, veçanërisht në drejtimin e sigurisë, përfshi në kuadër të nismave të përbashkëta dhe angazhimeve shtesë që kemi marrë në kuadër të Aleancës”.
Në lidhje me Ukrainën Meta ka theksuar se “Ne jemi në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dënojmë krimet barbare me të cilat jemi njohur të gjithë, dhe për të cilat kërkohet hetim ndërkombëtar dhe jemi për një ndërprerje të menjëhershme të këtij agresioni, por dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, përmes dialogut dhe marrëveshjes.”
Meta është shprehur se stabiliteti dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme.
“Besoj, se do të shtojmë të gjitha përpjekjet, që të kemi një moment pozitiv për zgjerimin dhe për Shqipërinë, dhe për Maqedoninë e Veriut sa më parë, që të jetë e mundur. Ashtu sikurse është shumë i rëndësishëm, vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nga ana e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Meta.
Vizita treditore realizohet me ftesë të peridentit bullgar, ndërkohë presidenti Meta gjatë vizitës do të takohet edhe me përfaqësuesit e tjerë të autoriteteve të larta shtetërore të Bullgarisë.