Agim Sulaj
13 Mars 2020•Përditësim: 13 Mars 2020
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në zyrën e tij kryeministrin Albin Kurt në një takim i cili zgjati rreth dy orë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit, presidenti Thaçi tha se takimi me Kurtin ishte përmbajtësor dhe në interes nacional, ndërsa ka prekur disa tema, përfshirë edhe dialogun me Serbinë.
Thaçi nuk shpalosi detaje konkrete rreth këtij takimi, por tha se biseda ka qenë e hapur dhe ka qenë konstatim i përbashkët që “një punë e përbashkët e bartësve të institucioneve dhe liderëve politik, të pozitës dhe opozitës, mund të çojë vendin më mirë përpara”.
“Takimi ka qenë i gjatë, ka qenë përmbajtjesor, shumë i hapur, ku janë diskutuar gjëra të cilat kemi pasur këndvështrime konstruktive. Është diskutuar për çështjet e brendshme, por edhe të politikës së jashtme, për interesat nacionale, prioritetet nacionale të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të vendit, për reformat qe duhet të ndodhin në vend në mënyrë që të lëvizim më shpejt drejt perspektivës evropiane, për rolin dhe fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për dialogun Kosovë-Serbi", tha Thaçi.
Kryeministri Kurti doli nga takimi me urgjencë duke njoftuar për mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës rreth koronavirusit.
Ai theksoi se biseda e takimit me presidentin Thaçi “filloi për koronavirusin e mbaroi me koronavirusin”, por më tej shtoi se biseda ishte më shumë e fokusuar në politikën e jashtme.
“Takimi hapi mori temash, prej mini-Schengenit te aleanca ballkanike, prej çështjeve pozitë-opozitë deri tek dialogu në Bruksel e në Washington, e tarifa e kështu me radhë. Megjithatë ishte takim i cili është lajm i mirë për Kosovën, me qenë se presidenti dhe kryeministri e biseduam së bashku për atë që është e përbashkët. Ka qenë takim substancial, edhe pse s’u mendua i tillë. Do të vazhdohet që të mos ketë befasi për qytetarët dhe gjithashtu për krerët institucional. Duhet ta rrisim parashikueshmërinë e njërit-tjetrit, për njëri-tjetrin”, tha Kurit.
Që nga takimi i parë zyrtarë midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit më 6 janar, ka pasur një mori thirrjesh nga të dyja palët për t’u takuar dhe për të diskutuar për çështje nacionale, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri sot.
Së fundmi, kryeministri Kurti në një seancë në Kuvendin e Kosovës foli rreth një “marrëveshjeje të gatshme” të cilën sipas tij e ka bërë presidenti Thaçi me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç, në Washington. Pas kësaj, presidenti Thaçi e quajti “frikacak” Kurtin, për të cilin tha se nuk ka guxim as ta heq tarifën 100 për qind për produktet serbe, por as ta vendos masën e paralajmëruar të reciprocitetit me Serbinë.