Abdula Berisha
25 Qershor 2019•Përditësim: 26 Qershor 2019
Nën organizim të shoqatës "Center for Common Ground", në komunën e Çairit e cila ndodhet në pjesën qendrore të Shkupit, është organizuar shëtitje me biçikletë nën moton "Eja me biçikletë në park", raporton Anadolu Agency (AA).
Ky eveniment është mbështetur nga ambasadat e Holandës dhe Britanisë së Madhe në Shkup, ndërsa të pranishëm ishin kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, ambasadori i Holandës, Willem Wouter Plomp, përfaqësues të ambasadës britanike si dhe dhjetëra çiklistë.
Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili vetë vjen nga fusha e sportit dhe në karrierën e tij të mëparshme njihet si trajner i suksesshëm i futbollit, falënderoi organizatorët e këtij evenimenti të cilin e cilësoi si të dobishëm për tërë shoqërinë.
"Kuptohet që qëllimi është që sot ne të bëjmë një xhiro me biçikletë ku duam t'i dërgojmë disa porosi, që sa më tepër t'i përdorim biçikletat, për shkak se në një qytet tash siç është Shkupi dhe po zhvillohet me një komunikacion shumë të dendur, do të përfitojmë dhe në kohë, por edhe në shëndet", tha Ganiu.
Ambasadori Willem Wouter Plomp tha se nga lokacioni ku ndodhet ambasada deri në parkun e Çairit kanë arritur për 10 minuta me biçikletë, duke theksuar se nëse të njëjtën distancë do ta kalonin me veturë, do t'u nevojitej dyfishi i asaj kohe.
"Personalisht jam shumë i lumtur që jam këtu, pasi si Ambasadë e Holandës përkrahim fuqishëm çiklizmin si sport por gjithashtu edhe si mënyrën më të mirë dhe më efikase për të lëvizur në Shkup", tha Plomp.
Pas deklaratave për mediat, grupi prej dhjetëra çiklistëve, i kryesuar nga Visar Ganiu dhe Willem Wouter Plomp, realizuan një shëtitje turistike me biçikletë nëpër Çair, duke përcjellë porosi për rëndësinë e krijimit të hapësirës për çiklistët, që sipas tyre, do t'i ndihmojë qytetit në aspektin e ruajtjes së mjedisit.
Komuna e Çairit ndodhet në pjesën qendrore të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut dhe është njëra ndër komunat më të dendura në Evropë. Bazuar në të dhënat e faqes zyrtare të komunës së Çairit, ajo ka një sipërfaqe prej 3,25 kilometrash katror ku banojnë 64.773 qytetarë, bazuar në regjistrimin e popullatës në vitit 2002.
Kjo e bën të ngarkuar komunikacionin në këtë pjesë të qytetit, andaj autoritetet apelojnë për shfrytëzim të biçikletave, njëkohësisht duke bërë përpjekje për të krijuar sa më shumë korsi të veçanta për biçikleta.