Husamedin Gina
23 Maj 2019•Përditësim: 24 Maj 2019
Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) organizoi sot “mëngjesin tradicional pune me kryeministrin”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ngjarjen solemne morën pjesë përfaqesues nga komuniteti i biznesit, ministra kompetente dhe kori diplomatik, ndërsa të pranishmëve iu drejtuan me fjalime kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike, Koço Angjushev.
Në mëngjesin e punës përfaqësuesit e sektorit të biznesit dhe ministrat në kabinetin qeveritar diskutuan mbi çështjet më të rëndësishme ekonomike në drejtim të përmirësimit të punës së përditshme të kompanive dhe klimës së biznesit në vend.
Në fjalën e tij, kryeministri Zaev, duke përsëritur se ky vit do të jetë viti i ekonomisë, theksoi se rezultate të shkëlqyera ekonomike mund të arrihen vetëm përmes forcimit të sektorit privat.
Një nga masat për përmirësimin e ekonomisë tha ai, është kthimi i TVSH-së për qytetarët.
"Nga 1 korriku, lansojmë rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Kjo do të thotë se inspektor shtetëror do të jetë secili qytetar i cili ka mbushur 18 vjeç", tha Zaev, duke shtuar se përfitimi më i madh i kësaj mase do të jetë eliminimi i ekonomisë gri.
Zaev shtoi më tej se periudha që vjen me anëtarësimin në NATO, vlerësohet lart nga kompanitë e huaja të mëdha, investimet e të cilave do të japin kontribut të drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.
Koço Angjushev nga ana e tij, tha se si qeveria u përpoq të mos ndërhyjë shumë në sektorin real dhe se kjo është një gjë të cilën duhet ta ndjekin të gjitha qeveritë në të ardhmen.
Angjushev tha se janë të pavërteta kritikat se në vend nuk ndërtohen fabrika.
"Fakti dhe e vërteta janë se po ndërtohen 19 fabrika. Janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet për 19 fabrika gjatë një viti e gjysmë", tha ai duke shtuar se kompania çeke "Trans Loco" do të ndërtojë fabrikë në Gazi Babë për automjete hekurudhore me vlerë prej 20 milionë euro.
Në takim u theksua se për përmirësimi i klimës së biznesit në Maqedoninë e Veriut, Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë ka përgatitur një paketë prej 80 masash ekonomike që lidhen me ndryshimin e legjislacionit, barrierave administrative, digjitalizimit, tregtisë së jashtme dhe të brendshme, industrisë dhe ndërtimit.