Ekip
12 Dhjetor 2017•Përditësim: 12 Dhjetor 2017
JOHANNESBURG (AA) - Së paku 50 persona janë lënduar, ndërsa më shumë se 300 të tjerë janë shpërngulur pas goditjes së tornados në jug të Johanesburgut në Republikën e Afrikës së Jugut, raporton Anadolu Agency (AA).
Tornado, që të hënën mbrëma sipas kohës lokale goditi zonën e liqenit Vaal Marine, 103 kilometra në jug të qytetit më të madh afrikano-jugor, shkaktoi dëme të mëdha mbi shumë objekte. Shërbimi urgjent mjekësor njoftoi se 25 pacientë për shkak të lëndimeve të lehta kanë marrë ndihmë mjekësore në terren, ndërsa 25 persona janë dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm.
Zyrtarët lokalë për AA konfirmuan se është duke vazhduar vlerësimi i dëmeve, meqë shtëpitë në këtë rajon pjesërisht dhe tërësisht janë shkatërruar.
“Bashkësia komunale dhe lokale ndihmojnë të shpërngulurit në gjetjen e strehimoreve të përkohshme”, njoftuan autoritetet lokale.
Pas goditjes së tornados shumë banesa kanë mbetur pa energji elektrike. Republika e Afrikës së Jugut gjatë dy javëve të fundit përballet me reshje të mëdha të shiut dhe erëra të forta.