Ali H. M.Abo Rezeg
11 Dhjetor 2016•Përditësim: 12 Dhjetor 2016
BAGDAD (AA) – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, ka mbërritur të dielën për vizitë zyrtare në Bagdad për të biseduar me zyrtarët vendas lidhur me zhvillimet rreth grupit terrorist DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).
“Carter do të takojë kryeministrin irakian Haider al-Abadi dhe kreun e forcave amerikane në Irak me të cilët do të bisedojë për ofensivën për mposhtjen e DEASH-it në Mosul”, thonë burime nga Ministria e Jashtme e Irakut pa dhënë detaje se sa gjatë Carter do të qëndrojë në Irak.
Kjo do të jetë vizita e dytë e Carterit në Irak në një periudhë të shkurtër kohore, pasi zyrtari i lartë amerikan në tetor vizitoi qytetin e Erbilit ku bisedoi për të njëjtën gjë.
SHBA-të udhëheqin një koalicion të gjerë ndërkombëtar i cili në vitin 2014 filloi sulmet ndaj objektivave të organizatës terroriste DEASH-it nga toka dhe ajri pasi kjo e fundit pushtoi disa territore.