Murat Temizer
01 Nëntor 2022•Përditësim: 01 Nëntor 2022
Ka nisur votimi për zgjedhjet e përgjithshme në Danimarkë, të cilat po zhvillohen shtatë muaj përpara afatit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në parlament janë 17 parti të ndryshme të ndara mes bllokut të djathtë dhe të majtë. Partia më e madhe ka 48 vende, ndërsa katër partitë më të vogla kanë nga një ulëse.
Në këto zgjedhje, 14 parti konkurrojnë për të hyrë në parlamentin danez me 179 vende.
Partitë politike gjatë fushatës zgjedhore u shfaqën me ofrimin e zgjidhjeve për uljen e taksave dhe kundër inflacionit dhe çmimeve të larta të energjisë.
Midis kandidatëve, kryeministrja aktuale Mette Frederiksen ka premtuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa partitë e qendrës së djathtë kanë sugjeruar kufizimin e imigracionit.
Si funksionon procesi i përzgjedhjes?
Në zgjedhjet e përgjithshme zgjidhen 179 deputetë për parlamentin e vendet, duke përfshirë dy përfaqësues nga Grenlanda dhe Ishujt Faroe.
Shumica e vendeve në parlament përcaktohen drejtpërdrejt nga përfaqësimi proporcional i dhjetë zonave zgjedhore. Ndërkaq, 40 nga këto ulëse përdoren për "ribalancim".
Partitë duhet të marrin të paktën 2 për qind të votave mbarëkombëtare për të fituar një vend në parlament.
Në vendin me rreth 6 milionë banorë, shkalla e pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme arrin përgjithësisht në 80 për qind.
Një broshurë informuese për kushtetutën dhe procesin e votimit u dërgohet zgjedhësve nga parlamenti çdo periudhë zgjedhore. Sidomos në këto zgjedhje, ka pasur përpjekje kritike për integrimin e votuesve të rinj në proces.
Rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve priten pak pas mesnate, ndërsa rezultatet përfundimtare brenda dy ditësh.
Pas rezultateve përfundimtare, një nga partitë me më shumë vota në zgjedhje do të nisë procesin e mbledhjes së vendeve të mjaftueshme në parlament për të formuar qeveri përmes koalicionimit.