Mustafa Deveci
14 Mars 2019•Përditësim: 14 Mars 2019
Ushtarët izraelitë kanë arrestuar gjithsej 20 palestinezë në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe në Rripin e bllokuar të Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas ushtrisë izraelite, 15 palestinezë janë arrestuar në bastisjet e organizuara gjatë orëve të natës me pretendimin se "janë përfshirë në aktivitete terroriste", ndërsa pesë të tjerë janë arrestuar me pretekstin se kanë kapërcyer kufirin e Gazës dhe kanë kaluar në anën izraelite.
Palestinezët e arrestuar janë dërguar në qendra të arrestit për t'u marrë në pyetje.
Forcat izraelite shpesh kryejnë arrestime në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.
Pas arrestimeve, të cilat janë bërë të përditshme, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen me ditë të tëra nëpër qendra burgimi.
Sipas të dhënave të burimeve zyrtare palestineze, në burgjet e Izraelit ndodhen rreth 5.700 palestinezë, përfshirë 230 fëmijë dhe afër 500 të mbajtur nën masën e ashtuquajtur "burgim administrativ".
Përmes "burgimit administrativ", Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në pesë vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur "përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit".