Ayhan Şimşek
02 Qershor 2022•Përditësim: 02 Qershor 2022
Agjencia franceze për shëndet publik njoftoi sot se janë konfirmuar 33 raste të virusit të lisë së majmunit në Francë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Që nga e hëna, kur u konfirmuan 17 raste, numri i të infektuarve pothuajse është dyfishuar.
“Që nga 1 qershori, 24 raste janë raportuar në rajonin parisien të Ile-de-France, dy në Auvergne-Rhone-Alpes, katër në Occitanie dhe nga një në Haut-de-France, Centre-Val-de-Loire dhe Normandi", njoftoi Agjencia e shëndetit publik.
Ministrja e Shëndetësisë, Brigitte Bourguignon tha se nuk ka frikë nga një shpërthim sepse ka mjaft vaksina për të parandaluar përhapjen e virusit.
Franca ka filluar vaksinimin e personave që janë në kontakt me pacientë të infektuar dhe për punonjësit e shëndetësisë që trajtojnë personat e infektuar.
Franca zbuloi rastin e parë të lisë së majmunëve në rajonin e Parisit më 20 maj.
Lija është një virus që transmetohet te njerëzit nga kafshët dhe simptomat përfshijnë ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike.