"Gjallërohen" rrugët e Afrinit
Trupat e Forcave të Armatosura të Turqisë vazhdojnë punimet në qendër të qytetit për të mundësuar kthimin e sigurt të banorëve në shtëpitë e tyre
Afrin
AFRIN (AA) – Në qendrën e Afrinit, e cila u pastrua nga terroristët me operacionin "Dega e Ullirit", janë hapur disa biznese si furrat, rrojtoret dhe restorantet ndërsa edhe banorët filluan të dalin nëpër rrugë, raporton Anadolu Agency (AA).
Trupat e Forcave të Armatosura të Turqisë vazhdojnë punimet në qendër të qytetit për të mundësuar kthimin e sigurt të banorëve në shtëpitë e tyre ndërsa edhe popullata po përpiqet që t'i kthehet jetës normale.
Në lagjet e qendrës është rritur lëvizshmëria. Kanë filluar me punë edhe furrat ndërsa berberët dhe restorantet kanë filluar me shërbimet e tyre. Nëpër rrugë ka edhe shitës, fëmijë që lozin me top dhe qytetarët të cilët shëtiten.
Në qendër të qytetit shihen edhe shenjat e organizatës terroriste. Në mure ka fotografi dhe shkrime në favor të organizatës terroriste.
Në qytet ku Forcat e Armatosura Turke vazhdojnë të patrullojnë gjatë natës, vazhdon edhe shpërndarja e ushqimit të ngrohtë nga organizatat e ndihmave.
Qytetarët të cilët shprehin një gëzim të madh për praninë e ushtarëve turq në qytetin e tyre, thonë se më parë nuk mund të dilnin nëpër rrugë në mënyrë të lirë dhe se terroristët i rrëmbenin të rinjtë për t'i dërguar me dhunë në luftë.
Ndërkohë, vazhdon operacioni "Dega e Ullirit" në Afrin, i cili nisi më 20 janar me qëllim të vendosjes së sigurisë përgjatë kufirit dhe në rajon si dhe neutralizimin e terroristëve të PKK/KCK/PYD-YPG-së dhe DEASH-it në Afrin, në veriperëndim të Sirisë.