Yassine Aydi,Hamdi Yıldız
12 shkurt 2022•Përditësim: 14 shkurt 2022
Ministria e Punëve të Jashtme e Bahreinit njoftoi se Izraeli ka emëruar në kryeqytetin Manama një oficer ndërlidhës përgjegjës për sigurinë e transportit detar në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Bahreinit (BNA), Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi raportimet në mediat e huaja.
Siç shkroi agjencia, një oficer izraelit u emërua në kuadër të rregulloreve që lidhen me një koalicion ndërkombëtar i cili përfshin më shumë se 34 vende.
Detyra e këtij koalicioni është të sigurohet transporti i sigurt në ujërat rajonale, të mbrohet tregtia ndërkombëtare dhe të luftohet terrorizmi dhe pirateria në rajon.
Ndërsa deklarata e ministrisë nuk dha informacion të detajuar për koalicionin ndërkombëtar, oficerin izraelit dhe misionin e tij, në mediat lokale dhe mediat izraelite u raportua se oficeri do të jetë me banim të përhershëm në Manama pas disa javësh.
Nga ana tjetër, dy ditë më parë, televizioni izraelit Channel 13 zbuloi për herë të parë se një oficer izraelit do të qëndronte me banim të përhershëm në një vend arab.
Në ditën e dytë të vizitës së ministrit izraelit të Mbrojtjes Benny Gantz në Manama më 2 shkurt, mes dy vendeve u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi në fushën e mbrojtjes.
Marrëveshja e “normalizimit të marrëdhënieve” midis Tel Avivit dhe Manamas u nënshkrua në një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator 2020.