Ekip
12 gusht 2021•Përditësim: 13 gusht 2021
Izraeli hapi një zyrë ndërlidhëse sot në kryeqytetin maroken Rabat, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid në Twitter publikoi fotografi të ceremonisë së hapjes së zyrës së përfaqësimit izraelit. Në ceremoni nga ana e Marokut mori pjesë ministri përgjegjës i Çështjeve Afrikane pranë Ministrisë së Jashtme, Mohcine Jazouli.
Lapid e përshkroi hapjen e zyrës ndërlidhëse si një “moment historik”.
Ai mbërriti në Marok të mërkurën për një vizitë dyditore si ministri i parë i jashtëm izraelit që vizitoi Rabatin pas rifillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në dhjetor.
Gjatë takimit të tyre të së mërkurës, Lapid nënshkroi disa marrëveshje me homologun e tij maroken, Nasser Bourita, mbi aviacionin, rininë dhe konsultimet sportive dhe politike.
Izraeli dhe Maroku njoftuan më 10 dhjetor rifillimin e marrëdhënieve diplomatike pasi u pezulluan në vitin 2000 pas shpërthimit të Intifadës së dytë palestineze.
Maroku është vendi i katërt arab që ra dakord për normalizimin me Izraelin që nga viti 2020, pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Sudanit.
Egjipti dhe Jordania kanë dy marrëveshje paqeje me Izraelin që nga viti 1979, respektivisht 1994.